“Përmbledhje mbi ecurinë e qëndrimeve të Gjykatës së Lartë”
Ky buletin tematik paraqet dhe analizon jurisprudencën e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, konkretisht të Kolegjit Administrativ, lidhur me zbatimin e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Në fokus janë dhjetë vendime përfaqësuese, të cilat trajtojnë dy çështje themelore: vlefshmërinë e akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP) dhe legjitimimin aktiv material të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në proceset gjyqësore të nisura nga prefektët përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Hyrja në fuqi e ligjit nr. 20/2020 shënoi një moment kthesë në trajtimin gjyqësor të këtyre çështjeve. Ky ndryshim nuk u kufizua vetëm në transferimin e kompetencave nga prefekturat te Agjencia Shtetërore e Kadastrës, por preku në mënyrë thelbësore vetë bazën juridike mbi të cilën mund të vijonin paditë ekzistuese. Në këtë kuadër, Kolegji Administrativ ka konsoliduar një qëndrim të qartë: Zëvendësimi procedural i prefektit nga ASHK nuk është në vetvete i mjaftueshëm për vijimin e padisë, ai duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me verifikimin nëse shkaku ligjor i saj përputhet me kategoritë e përcaktuara shprehimisht nga ligji nr. 20/2020.
Nga analiza e kësaj jurisprudence del një standard i qëndrueshëm: Për paditë e ngritura përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, ASHK gëzon legjitimim aktiv material vetëm në rastet kur shkaku ligjor i padisë përfshihet në nenin 7, pika 1, të këtij ligji. Në mungesë të këtij kushti, padia nuk mund të vijojë dhe si rrjedhim rrëzohet. Përkundrazi, kur pretendimet e ngritura kërkojnë një vlerësim juridik në raport me këtë dispozitë, çështja duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi në themel, përmes një hetimi të plotë gjyqësor mbi elementet thelbësore të saj, si natyra juridike e tokës, zëri kadastral, statusi në kohën e shpërndarjes dhe rrethana të tjera relevante për të përcaktuar nëse rasti përfshihet në fushën e nenit 7, pika 1.
Vendimet e përzgjedhura në këtë buletin pasqyrojnë qartësisht këtë dyzim të qasjes gjyqësore. Nga njëra anë, evidentohen rastet në të cilat Kolegji ka vlerësuar se shkaqe të tilla si tejkalimi i normës për frymë apo problematika të legjitimimit të përfituesit nuk përbëjnë më bazë të vlefshme për vijimin e padisë nga ASHK. Nga ana tjetër, paraqiten rastet kur natyra e pretendimeve imponon një shqyrtim në themel, me qëllim verifikimin nëse bëhet fjalë për situata që ligji vijon t’i ruajë si objekt të kontrollit gjyqësor.
Në këtë mënyrë, jurisprudenca e Kolegjit Administrativ ka ndërtuar një linjë të qartë dhe koherente interpretimi mbi raportin ndërmjet nenit 7 dhe nenit 68 të ligjit nr. 20/2020, duke ofruar një orientim të qëndrueshëm për praktikën gjyqësore dhe për subjektet e përfshira në këto procese. Kjo linjë pasqyrohet në mënyrë të konsoliduar në vendimmarrjet e paraqitura në vijim.
I. Vendimi njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - KAGJL ka njësuar praktikën gjyqësore, duke përcaktuar se i) Në zbatim të nenit 68, pika 5 të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” për të gjitha paditë e ngritura nga prefekti, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, më datë 07.05.2020, me objekt pavlefshmërinë/shfuqizimin e AMTP, pavarësisht se në cilën shkallë gjykimi ndodhen, ASHK detyrohet të heqë dorë nga e drejta e padisë, përveç rasteve kur shkaku ligjor i padisë është sipas përcaktimeve të nenit 7, pika 1, të këtij ligji. ii) Kur mungon vullneti i shprehur për heqjen dorë nga e drejta e padisë prej ASHK, në zbatim të nenit 68, pika 4 të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” gjykatat vijojnë shqyrtimin e padive të ngritura nga prefektët me objekt pavlefshmërinë/shfuqizimin e AMTP, sipas kritereve të këtij ligji. iii) Në rast se në padi ngrihen formalisht pretendime me shkaqe nga ato të përcaktuara nga neni 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020, gjykatat disponojnë për pranimin ose rrëzimin e padisë, varësisht gjendjes së faktit të vërtetuar. Nëse padia nuk ngre formalisht asnjë nga shkaqet e përcaktuara nga neni 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020, gjykatat vlerësojnë mungesën e legjitimimit aktiv material të palës paditëse dhe disponojnë me rrëzimin e padisë.
Fjalë kyçe - pavlefshmëri e AMTP, legjitimim aktiv material, interes publik, padi e prefektit, procese kalimtare të pronësisë, titull pronësie mbi tokën bujqësore.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se familja bujqësore është pajisur me AMTP nr. 461, viti 1992, për sipërfaqen 2600 m² tokë bujqësore në fshatin Kashar, e cila është regjistruar në ZVRPP dhe më pas është shitur te shoqëria “X” SHPK. KVTP pranë Prefekturës Tiranë ka vendosur shfuqizimin e AMTP dhe kthimin e sipërfaqes në pronësi shtet, me arsyetimin se përfituesi duhej pajisur me tokë në fshatin Yrshek sipas ligjit nr. 7501/1991. Prefekti i Qarkut Tiranë ka paraqitur padi, e cila, pas ndryshimit të objektit, është vijuar nga ASHK me kërkim detyrimin e familjes të paguajë vlerën monetare të tokës së shitur. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka konstatuar se AMTP është lëshuar në kundërshtim me ligjin, por e ka rrëzuar padinë, duke çmuar se e drejta e pretenduar nuk mund të realizohej nëpërmjet këtij objekti. Gjykata Administrative e Apelit, duke iu referuar nenit 68, pikat 4 dhe 5, të ligjit nr. 20/2020, ka prishur vendimin e shkallës së parë dhe ka pushuar gjykimin, me arsyetimin se ASHK kishte detyrim ligjor të hiqte dorë nga padia, pasi rasti nuk hynte në përjashtimet e nenit 7, pika 1, të këtij ligji. Në këtë vendim KAGJL, pasi hapi procedurën për njësimin e praktikës dhe interpretoi në mënyrë sistematike nenin 7, pikën 1, nenin 9 dhe nenin 68, pikat 4 dhe 5, të ligjit nr. 20/2020, përcaktoi se legjitimimi aktiv material i ASHK për paditë e trashëguara nga prefektët kufizohet vetëm në rastet kur padia mbështetet në shkaqet e nenit 7, pika 1, dhe se detyrimi për heqje dorë nga e drejta e padisë buron ex lege nga mungesa e interesit publik. Në mungesë të heqjes dorë formale, gjykata nuk duhet të pushojë gjykimin, por të rrëzojë padinë për mungesë legjitimimi aktiv material. Kolegji, duke vlerësuar se në rastin konkret AMTP e kontestuar është e regjistruar dhe nuk është provuar që toka ka karakter publik në kuptim të nenit 7, pika 1, shkronja “c”, ka konkluduar se ASHK nuk gëzon më legjitimim aktiv material për vijimin e procesit dhe, si rrjedhojë, ka ndryshuar vendimet e gjykatave të faktit dhe ka rrëzuar padinë.
II. Vendimi nr. 00-2025-1015 (127), datë 25.03.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në gjykimin e padive të ngritura përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), gjykata është e detyruar të shqyrtojë çështjen në themel, kur në padi ngrihen formalisht shkaqe të parashikuara në nenin 7, pika 1 të këtij ligji, për të cilat nuk lejohet heqja dorë dhe nuk mund të vendosë pushimin e gjykimit.
Fjalë kyçe - pavlefshmëria e AMTP, tokë bujqësore, legjitimimi i përfituesit, ndarja e tokës bujqësore, heqja dorë nga padia, shqyrtim në themel i çështjes.
Përmbledhje - Në këtë çështje, pala paditëse (ASHK) ka paraqitur rekurs ndaj vendimit të GJAA, e cila kishte vendosur pushimin e çështjes për pavlefshmërinë e një AMTP të lëshuar në emër të një subjekti. Gjykata e apelit kishte arsyetuar se ASHK, në zbatim të nenit 68, pika 5 të ligjit nr. 20/2020, duhet të hiqte dorë nga padia. Në rekurs, pala paditëse ka ngritur si shkaqe, ndër të tjera, se Komisioni i Ndarjes së Tokës nuk ka zbatuar kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore, pasi subjekti përfitues nuk ishte familje fshatare themeluese dhe për rrjedhojë nuk duhej të kishte përfituar tokë bujqësore. Në vendim, KAGJL vlerësoi se në zgjidhjen e çështjes nga GJAA duhet pasur parasysh vendimi njësues nr. 31003-00018-00-2024, datë 18.02.2025, me të cilin është unifikuar praktika gjyqësore mbi mënyrën e zbatimit të nenit 68, pika 4 dhe 5 të ligjit nr. 20/2020. Ky vendim ka rëndësi për këtë çështje, pasi padia e paraqitur nga ASHK bazohet në pretendimin se subjekti përfitues nuk është familje fshatare themeluese dhe se toka objekt e AMTP nuk ka qenë “tokë bujqësore” më datë 01.08.1991, rrethana të cilat përbëjnë shkaqe formalisht të ngritura në padi dhe që sipas nenit 7, pika 1 të ligjit nr. 20/2020, përjashtojnë detyrimin për heqje dorë nga padia. Kolegji çmoi se në këto raste, ASHK nuk ka të drejtë të vendosë vetë nëse do të heqë dorë apo jo nga padia, pasi ligji e përjashton qartësisht këtë mundësi. Në përfundim, Kolegji i la detyrë GJAA që të hetojë nëse përfituesi i AMTP është subjekt i legjitimuar sipas ligjit nr. 7501/1991 dhe akteve përkatëse dhe nëse toka objekt AMTP ka qenë “tokë bujqësore” në datën 01.08.1991.
Në të njëjtën linjë interpretimi qëndron edhe vendimi nr. 00-2024-2916 (299), datë 04.07.2024, dhe vendimi nr. 00-2024-5305 (386), datë 25.09.2024, në të cilat KAGJL ka vlerësuar se pretendimi se toka objekt e AMTP nuk ka qenë “tokë bujqësore” në datën 01.08.1991 përbën një rrethanë thelbësore për vlerësimin e vlefshmërisë së titullit dhe kërkon shqyrtim në themel të çështjes.
Një grup tjetër vendimesh, si më poshtë, lidhen me rastet kur mosmarrëveshja nuk mund të zgjidhet pa një hetim të plotë mbi zërin kadastral, regjimin juridik të tokës dhe statusin e saj në kohën e shpërndarjes, në funksion të vlerësimit nëse shkaku i padisë përfshihet ose jo në rastet e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020.
III. Vendimi nr. 00-2026-500 (100), datë 12.02.2026 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Kur padia e ngritur nga prefekti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020 ka për objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e një AMTP, gjykata duhet të hetojë në mënyrë të plotë zërin kadastral dhe regjimin juridik të tokës në kohën e shpërndarjes, si edhe të vlerësojë nëse rasti përfshihet në kriteret e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020.
Fjalë kyçe – padi e prefektit, AMTP, zë kadastral, regjim juridik i tokës, tokë bujqësore, legjitimim aktiv material.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, fillimisht Prefekti i Qarkut Tiranë dhe më pas Agjencia Shtetërore e Kadastrës si pasardhëse ligjore, ka kërkuar deklarimin e pavlefshmërisë dhe shfuqizimin e një AMTP pa numër e pa datë, me sipërfaqe 3000 m², të lëshuar në emër të përfaqësuesit të një familjeje bujqësore në fshatin Spille, si edhe detyrimin për pagimin e vlerës së tokës së tjetërsuar. Sipas palës paditëse, kjo sipërfaqe ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi parcela nr. 37, mbi të cilën ishte lëshuar AMTP, nuk kishte figuruar më 01.08.1991 në zërin kadastral “tokë bujqësore”, por me zërin “PF”, ndaj nuk mund të ishte objekt ndarjeje sipas ligjit nr. 7501/1991. Gjykata administrative e shkallës së parë e kishte pranuar padinë, duke vlerësuar se AMTP ishte nxjerrë në kundërshtim me ligjin nr. 9948/2008, pasi toka e përfituar nuk kishte qenë tokë bujqësore në datën relevante dhe, për më tepër, akti rezultonte pa numër e pa datë. Në vijim, Gjykata Administrative e Apelit e ndryshoi këtë vendim dhe rrëzoi padinë, duke arsyetuar se zëri kadastral “PF” nuk ishte përcaktuar nga ligji si kategori toke e përjashtuar shprehimisht nga ndarja sipas ligjit nr. 7501/1991 dhe se për këtë arsye, nuk mund të konkludohej automatikisht pavlefshmëria e AMTP. Kjo gjykatë çmoi gjithashtu se parcela mund të ishte kthyer në tokë bujqësore dhe mund të ishte përdorur si e tillë përpara ndarjes. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte rrjedhojë e një hetimi të paplotë, pasi nuk ishin hetuar në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme rrethanat me vlerë thelbësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Kolegji çmoi se duhej sqaruar zëri kadastral dhe regjimi juridik i tokës së përfituar në kohën e shpërndarjes, si edhe nëse toka objekt përfitimi përfshihej ose jo në rastet e parashikuara nga neni 7, pika 1, i ligjit nr. 20/2020, në funksion të zgjidhjes së drejtë të padisë së ngritur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në këtë kuadër, Kolegji solli në vëmendje edhe vendimin njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025, lidhur me legjitimimin aktiv material të ASHK në paditë e trashëguara nga prefekti. Për këto arsye, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
IV. Vendimi nr. 00-2025-4536 (493), datë 18.12.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Kur AMTP kundërshtohet me pretendimin se parcela e përfituar, si tokë e ish-ndërmarrjes bujqësore, ndodhet në një zonë me përparësi zhvillimin e turizmit dhe për këtë shkak nuk mund të kalonte në pronësi, gjykata duhet të hetojë në mënyrë të plotë zërin kadastral dhe regjimin juridik të tokës në kohën e shpërndarjes, si edhe të vlerësojë nëse rasti përfshihet në kriteret e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020.
Fjalë kyçe - AMTP, zonë turistike, tokë e ish-ndërmarrjes bujqësore, zë kadastral, regjim juridik i tokës, legjitimim aktiv material.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të AMTP nr. 1189, datë 26.06.1999, për parcelën nr. 47, zona kadastrale 1925, me sipërfaqe 3500 m², të përfituar nga pala e paditur. Shkaku i padisë lidhej me pretendimin se kjo parcelë, megjithëse kishte zërin kadastral “tokë arë”, shtrihej brenda zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit sipas VKM nr. 88, datë 01.03.1993 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të kalonte në pronësi sipas ligjit nr. 8053/1995. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës e kishte rrëzuar padinë, duke arsyetuar se palët e paditura nuk ishin vënë rregullisht në dijeni për procedurën administrative të ndjekur nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, se vetë vendimi i këtij komisioni ishte marrë në kundërshtim me kërkesat procedurale të Kodit të Procedurave Administrative, si edhe se padia ishte ngritur jashtë afateve. Në vijim, Gjykata Administrative e Apelit e la në fuqi këtë vendim, duke arsyetuar në thelb se parcela në fjalë ishte tokë bujqësore në datën 01.08.1991, se familja bujqësore e kishte përfituar sipas normës për frymë në vendin e banimit dhe se fakti që zona ishte shpallur me përparësi zhvillimin e turizmit në vitin 1993 nuk mund të sillte pasoja për të drejtat e fituara më parë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte rrjedhojë e një hetimi të paplotë dhe për këtë arsye, i pambështetur në ligj. Kolegji evidentoi se pala e paditur e kishte përfituar parcelën me AMTP në vitin 1999, pra pasi kishte hyrë në fuqi VKM nr. 88, datë 01.03.1993 “Për miratimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, ndaj përfundimi i gjykatave të faktit se e drejta ishte fituar përpara këtij kufizimi nuk ishte i drejtë. Në këtë kuadër, Kolegji çmoi se gjykatat e faktit duhej të kishin hetuar në mënyrë të plotë zërin kadastral dhe regjimin juridik të tokës së përfituar në kohën kur ajo ishte shpërndarë, për të përcaktuar nëse parcela mund të kalonte apo jo në pronësi sipas legjislacionit të zbatueshëm. Kolegji vlerësoi gjithashtu se, duke qenë se padia ishte ngritur përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, gjykatat e faktit duhej të mbanin në konsideratë edhe kriteret e këtij ligji, si edhe vendimin njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025, për të vlerësuar nëse shkaku ligjor i padisë përfshihej në rastet e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020. Për këto arsye, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Edhe ky vendim qëndron në të njëjtën vijë me vendimin e mësipërm, pasi tregon se, pavarësisht shkakut konkret të padisë, kur pretendohet papajtueshmëri e parcelës me regjimin juridik të tokës në kohën e përfitimit, gjykatat e faktit duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm përpara se të disponojnë mbi vlefshmërinë e titullit.
V. Vendimi nr. 00-2025-4549 (500), datë 18.12.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Kur AMTP kundërshtohet me pretendimin se parcela e përfituar nuk ka qenë tokë bujqësore në datën 01.08.1991, por “pa fryt”, gjykata duhet të hetojë në mënyrë të plotë statusin kadastral dhe regjimin juridik të tokës, si edhe të verifikojë gjendjen historike të parcelës në kohën e shpërndarjes, duke vlerësuar edhe nëse rasti përfshihet në kriteret e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020.
Fjalë kyçe - AMTP, tokë “pa fryt”, statusi kadastral i parcelës, regjimi juridik i tokës, gjendja historike e parcelës, tokë bujqësore, ish-kooperativë bujqësore, legjitimim aktiv material.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kërkuar shfuqizimin e plotë të AMTP nr. 474/1, datë 20.11.2007, të lëshuar në emër të palës së paditur për parcelën nr. 295/30, të regjistruar në ZVRPP Kavajë si pasuria nr. 295/183, me sipërfaqe 3000 m², si edhe kthimin e kësaj pasurie në pronësi shtet. Nga rrethanat e çështjes rezulton se Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Tiranë kishte arritur në përfundimin se ky titull pronësie ishte krijuar në kundërshtim me ligjin, pasi parcela mbi të cilën ishte përfituar toka, sipas dokumentacionit kadastral dhe hartografik, rezultonte me zërin kadastral “pa fryt” në datën 01.08.1991. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës e kishte pranuar pjesërisht padinë, duke shfuqizuar pjesërisht AMTP-në nr. 474/1 për sipërfaqen 2140 m², me arsyetimin se kjo sipërfaqe ishte përfituar mbi normën për frymë. Nga ana tjetër, kjo gjykatë kishte rrëzuar pretendimin e palës paditëse për shfuqizimin e plotë të AMTP mbi shkakun se parcela kishte qenë “pa fryt”, duke vlerësuar se vetëm fakti i regjistrimit të saj me këtë zë kadastral nuk mjaftonte për ta konsideruar atë tokë jobujqësore në kuptim të nenit 2 të ligjit nr. 9948/2008. Gjykata Administrative e Apelit e kishte lënë në fuqi këtë vendim, duke mbështetur përfundimin për shfuqizim të pjesshëm të AMTP vetëm për sipërfaqen e përfituar mbi normën për frymë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke marrë në shqyrtim rekursin e palës paditëse dhe të Avokaturës së Shtetit, vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte dhënë pa një hetim të plotë dhe të gjithanshëm për sa i përket shkakut të paligjshmërisë së ngritur nga pala paditëse lidhur me statusin kadastral të parcelës. Kolegji evidentoi se megjithëse gjykatat e faktit kishin pranuar se prona në datën 01.08.1991 ishte regjistruar si “tokë pa fryt” dhe më pas i ishte ndryshuar zëri kadastral, ato nuk kishin hetuar në mënyrë të mjaftueshme gjendjen historike të parcelës, statusin e saj juridik në atë datë, dokumentacionin kadastral dhe nëse ajo kishte qenë pjesë e fondit të tokës së ish-kooperativës bujqësore, me qëllim përcaktimin nëse ndarja e saj si tokë bujqësore ishte bërë në përputhje me ligjin nr. 7501/1991. Po ashtu, Kolegji vlerësoi se në rigjykim duhej të shqyrtohej edhe nëse rasti përfshihej në rastet e parashikuara nga neni 7, pika 1, i ligjit nr. 20/2020, në raport me zërin kadastral dhe regjimin juridik të tokës në kohën e shpërndarjes. Në këto kushte, Kolegji arriti në përfundimin se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte marrë në zbatim jo të drejtë të ligjit dhe duhej prishur, duke u dërguar çështja për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Ndryshe nga vendimet e mësipërme, ku theksi vihet te nevoja për hetim të plotë mbi statusin juridik dhe kadastral të tokës, në vendimmarrjet që vijojnë Kolegji është ndalur te rastet kur vetë shkaku ligjor i padisë nuk përfshihet në rastet e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020 dhe, për pasojë, padia nuk mund të vijojë nga ASHK.
VI. Vendimi nr.00-2025-4537 (495), datë 18.12.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Për paditë e ngritura nga prefekti para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e AMTP për tejkalim të normës për frymë, ASHK nuk ka legjitimim aktiv material për vijimin e gjykimit, pasi ky shkak nuk përfshihet në rastet e parashikuara në nenin 7, pika 1, të këtij ligji. Në këto kushte, mungon shkaku ligjor në substancë për ushtrimin e padisë dhe ajo duhet të rrëzohet.
Fjalë kyçe - legjitimimi aktiv material i ASHK, tejkalim i normës për frymë, AMTP, paditë e prefektit, rrëzimi i padisë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, fillimisht Prefekti i Qarkut Tiranë dhe më pas Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, ka kërkuar deklarimin e pavlefshmërisë së pjesshme ose të plotë të disa akteve të marrjes së tokës në pronësi, të lëshuara në emër të familjes bujqësore të përfaqësuar nga pala e paditur, me pretendimin se kjo familje kishte përfituar tokë mbi normën takuese për frymë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e rrëzoi padinë, duke vlerësuar se pala paditëse nuk provoi bazueshmërinë ligjore të pretendimeve të saj, se procedura e ndjekur nga Komisioni Vendor ishte në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe se vlerësimi i bërë për sipërfaqen e përfituar dhe për normën për frymë ishte i pasaktë. Gjykata Administrative e Apelit e la në fuqi këtë vendim, duke arritur në përfundimin se padia ishte mbështetur në konkluzione të gabuara të Komisionit Vendor, si për sa i përket normës për frymë të zbatueshme, ashtu edhe përllogaritjes së sipërfaqes së përfituar, duke mos marrë në konsideratë edhe përsëritjen e parcelave në aktet e marra në shqyrtim. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se ndonëse përfundimi i Gjykatës Administrative të Apelit për rrëzimin e padisë ishte i drejtë, arsyetimi i saj nuk ishte i drejtë dhe vendimi duhej lënë në fuqi me tjetër arsyetim. Kolegji konstatoi se padia ishte ngritur përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020 dhe se ndaj saj duhej të zbatoheshin dispozitat kalimtare të këtij ligji, si edhe qëndrimi i mbajtur në vendimin njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025. Duke iu referuar shkakut ligjor të padisë, Kolegji arriti në përfundimin se rasti lidhej me tejkalimin e normës për frymë, pra me një situatë që, sipas nenit 68, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 20/2020, nuk përbën shkak ligjor për vijimin e padisë nga ASHK. Në këto kushte, pala paditëse nuk kishte më legjitimim aktiv material për të ndjekur gjykimin dhe, për këtë arsye, Kolegji la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit për rrëzimin e padisë, por me tjetër arsyetim.
I njëjti qëndrim është mbajtur edhe në vendimin nr. 00-2026-301 (45), datë 28.01.2026, në të cilin Kolegji ka vlerësuar se tejkalimi i normës për frymë nuk përbën më shkak ligjor që i jep ASHK legjitimim aktiv material për vijimin e padisë pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020.
VII. Vendimi nr. 00-2026-301 (45), datë 28.01.2026 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Për paditë e ngritura nga prefekti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e AMTP, ASHK, si pasardhëse ligjore, nuk ka legjitimim aktiv material kur shkaku i padisë lidhet me përfitimin e tokës mbi normën për frymë, pasi ky shkak nuk përfshihet në rastet e parashikuara nga neni 7, pika 1, i ligjit nr. 20/2020. Në këtë rast padia duhet të rrëzohet.
Fjalë kyçe - legjitimim aktiv material, tejkalim i normës për frymë, AMTP, rrëzim i padisë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, fillimisht Prefekti i Qarkut Tiranë dhe më pas Agjencia Shtetërore e Kadastrës si pasardhëse ligjore, ka kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të AMTP nr. 178, datë 01.04.1997, për sipërfaqen e pretenduar si të përfituar mbi normën për frymë, detyrimin e familjes bujqësore për të paguar vlerën financiare të një pjese të sipërfaqes së shitur, si edhe konstatimin si akt absolutisht të pavlefshëm të AMTP nr. 118, datë 30.06.1992. Pretendimi i palës paditëse ka qenë se familja bujqësore e përfaqësuar nga pala e paditur, ndonëse sipas përbërjes familjare dhe normës për frymë në fshatin Linzë duhej të përfitonte vetëm 4.400 m² tokë, në fakt ishte trajtuar në tre raste të ndryshme me AMTP dhe kishte përfituar sipërfaqe shumë më të madhe se ajo e lejuar nga ligji. Gjykatat e faktit e kishin pranuar pjesërisht padinë, duke arsyetuar se familja bujqësore ishte trajtuar disa herë me tokë bujqësore nga i njëjti komision dhe përtej normës së lejuar për frymë. Mbi këtë bazë, ato kishin vlerësuar se një pjesë e sipërfaqeve të përfituara duhej të shfuqizohej, se duhej kthyer në pronësi shtet sipërfaqja e mbetur ende në pronësi të familjes bujqësore dhe se për pjesën e tjetërsuar duhej të paguhej vlera financiare përkatëse. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se, ndonëse padia ishte ngritur mbi bazën e ligjit nr. 9948/2008, zgjidhja e çështjes duhej të bëhej sipas ligjit nr. 20/2020, i cili kishte hyrë në fuqi gjatë kohës që procesi ishte ende në vijim. Duke iu referuar neneve 7 dhe 68 të këtij ligji, si edhe vendimit njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025, Kolegji vlerësoi se për paditë e ngritura nga prefekti para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, ASHK mund të vijojë gjykimin vetëm kur shkaku ligjor i padisë përputhet me rastet e parashikuara në nenin 7, pika 1, të këtij ligji. Në rastin konkret, Kolegji arriti në përfundimin se shkaku i padisë lidhej me përfitimin e tokës mbi normën për frymë dhe nuk përfshihej në rastet e përcaktuara në nenin 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020. Për këtë arsye, u vlerësua se ASHK, si pasardhëse ligjore e prefektit, nuk kishte legjitimim aktiv material për të ndjekur procesin gjyqësor. Duke qenë se, sipas Kolegjit, çështja mund të zgjidhej në themel mbi bazën e fakteve të pranuara nga gjykatat e faktit, pa nevojën e një rivlerësimi të tyre, ai ndryshoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe atë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, duke rrëzuar padinë.
VIII. Vendimi nr. 00-2026-134 (26), datë 22.01.2026 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Për paditë e ngritura nga prefekti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e AMTP, ASHK, si pasardhëse ligjore, gëzon legjitimim aktiv material vetëm kur shkaku ligjor i padisë përputhet me rastet e parashikuara në nenin 7, pika 1, të këtij ligji. Kur shkaku i padisë nuk përfshihet në këto raste, padia rrëzohet.
Fjalë kyçe - legjitimim aktiv material, tejkalim i normës për frymë, tokë kullotë, tokë e ish-ndërmarrjes bujqësore, natyra e parcelës, rrëzim i padisë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, fillimisht Prefekti i Qarkut Tiranë dhe më pas Agjencia Shtetërore e Kadastrës si pasardhëse ligjore, ka kërkuar deklarimin e pavlefshmërisë së pjesshme dhe shfuqizimin e pjesshëm të dy akteve të marrjes së tokës në pronësi, përkatësisht AMTP nr. 85 të vitit 1992 dhe AMTP nr. 26, datë 08.04.1992, të lëshuara në emër të përfaqësuesit të familjes bujqësore të palës së paditur. Pretendimi i palës paditëse ka qenë se familja përfituese ishte pajisur me sipërfaqe toke mbi normën për frymë, si edhe me parcela të dhëna në kundërshtim me ligjin, pasi një pjesë e tyre rezultonin kullotë ose tokë që i përkiste ish-ndërmarrjes bujqësore dhe jo kooperativës bujqësore të fshatit. Gjykatat e faktit e kishin pranuar pjesërisht padinë, duke arsyetuar se disa prej parcelave ishin dhënë në kundërshtim me ligjin për shkak të natyrës së tyre si kullotë ose si pjesë e ish-NB, si edhe se familja përfituese ishte trajtuar në tejkalim të normës së lejuar, duke qenë se dy prej anëtarëve madhorë të saj ishin në marrëdhënie pune me ndërmarrje shtetërore dhe për rrjedhojë, nuk duhej të përfitonin normë të plotë si anëtarët e tjerë të familjes. Po ashtu, gjykatat e faktit kishin vlerësuar të paprovuar pretendimin e të paditurve se një propozim për kalimin e tokave të ish-NB në përdorim të kooperativës bujqësore Kashar ishte miratuar nga Ministria e Bujqësisë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se, pavarësisht se çështja ishte ngritur mbi bazën e ligjit nr. 9948/2008, në momentin e shqyrtimit të saj duhej të zbatoheshin dispozitat e ligjit nr. 20/2020, për shkak të rregullave kalimtare të parashikuara në nenin 68 të këtij ligji. Duke iu referuar edhe vendimit njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025, Kolegji arriti në përfundimin se për paditë e ngritura nga prefekti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, ASHK mund të vijojë gjykimin vetëm kur shkaku ligjor i padisë përputhet me rastet e parashikuara në nenin 7, pika 1, të këtij ligji. Në rastin konkret, Kolegji vlerësoi se referuar shkakut ligjor të padisë dhe rrethanave të saj, pretendimet e ngritura nga pala paditëse nuk përfshiheshin në rastet e parashikuara nga neni 7, pika 1, i ligjit nr. 20/2020. Për këtë arsye, u çmua se ASHK, si pasardhëse ligjore e prefektit, nuk kishte legjitimim aktiv material për të vijuar procesin gjyqësor. Mbi këtë bazë, Kolegji ndryshoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe atë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke rrëzuar padinë.
IX. Vendimi nr. 00-2026-790 (126), datë 19.02.2026 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Për paditë e ngritura nga prefekti para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë/shfuqizimin e AMTP, ASHK gëzon legjitimim aktiv material për vijimin e gjykimit vetëm kur shkaku ligjor i padisë përputhet me rastet e parashikuara në nenin 7, pika 1, të këtij ligji. Kur padia nuk ngre një nga këto shkaqe, mungon legjitimimi aktiv material i palës paditëse dhe padia duhet të rrëzohet.
Fjalë kyçe – legjitimimi aktiv material i ASHK, paditë e prefektit, AMTP, rrëzim i padisë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, fillimisht Prefekti i Qarkut Fier dhe më pas Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, ka kërkuar deklarimin e pavlefshmërisë së plotë të AMTP nr. 16423, datë 27.12.1994, të lëshuar në emër të palës së paditur për një sipërfaqe prej 23.200 m² tokë bujqësore, me pretendimin se përfituesi i saj nuk ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas legjislacionit për ndarjen e tokës bujqësore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë e rrëzoi padinë, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ndryshoi këtë vendim dhe e pranoi atë, duke deklaruar pavlefshmërinë e AMTP dhe kthimin e tokës në gjendjen e mëparshme “tokë shtet”. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se duke qenë se padia ishte ngritur përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, ndaj saj zbatoheshin dispozitat kalimtare të nenit 68 të këtij ligji, si edhe qëndrimi i mbajtur në vendimin njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025. Kolegji arriti në përfundimin se ASHK gëzon legjitimim aktiv material për vijimin e këtyre padive vetëm kur shkaku ligjor i tyre përputhet me rastet e parashikuara në nenin 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020. Në rastin konkret, shkaku i padisë lidhej me legjitimimin e përfituesit të AMTP dhe nuk përfshihej në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, ndaj mungonte shkaku ligjor në substancë për ushtrimin e padisë dhe, për rrjedhojë, edhe legjitimimi aktiv material i palës paditëse. Për këtë arsye, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë për rrëzimin e padisë, por me tjetër arsyetim.
I njëjti qëndrim konfirmohet edhe në vendimin nr. 00-2026-645 (111), datë 19.02.2026, ku Kolegji ka vlerësuar se pretendimet që lidhen me legjitimimin e përfituesit sipas kritereve të ndarjes së tokës bujqësore nuk mbështesin më vijimin e padisë nga ASHK, kur ato nuk përputhen me rastet e nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 20/2020.
X. Vendimi nr. 00-2026-645 (111), datë 19.02.2026 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në paditë e ngritura nga prefekti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e AMTP, kur shkaku i kundërshtimit lidhet me legjitimimin e përfituesit sipas kritereve të ndarjes së tokës bujqësore dhe nuk përfshihet në rastet e nenit 7, pika 1, të këtij ligji, ASHK nuk ka legjitimim aktiv material për të vijuar gjykimin dhe padia rrëzohet.
Fjalë kyçe - legjitimim aktiv material, legjitimimi i përfituesit, kriteret e ndarjes së tokës bujqësore, banimi në fshatin përkatës, gjendje civile, rrëzim i padisë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, fillimisht Prefekti i Qarkut Tiranë dhe më pas Agjencia Shtetërore e Kadastrës si pasardhëse ligjore, ka kërkuar deklarimin e pavlefshmërisë së plotë të AMTP nr. 257, datë 05.05.1996, të lëshuar në emër të familjes bujqësore të përfaqësuar nga pala e paditur, me pretendimin se kjo familje ishte trajtuar me tokë bujqësore në kundërshtim me ligjin, pasi përfituesi nuk kishte qenë banor i fshatit ku ndodhej toka në datat referuese të përcaktuara nga legjislacioni për ndarjen e tokës. Nga rrethanat e pranuara nga gjykatat e faktit rezulton se gjykata e shkallës së parë e kishte pranuar padinë, duke vlerësuar se AMTP ishte lëshuar në kundërshtim me ligjin nr. 7501/1991 dhe aktet nënligjore përkatëse, pasi pala e paditur nuk rezultonte e regjistruar në gjendjen civile të fshatit Dritas, por në fshatin Nikël. I njëjti përfundim ishte mbajtur edhe nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila kishte lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe kishte vlerësuar se përfituesi nuk kishte provuar as pretendimin se kishte përfituar si bashkëthemelues i ndërmarrjes bujqësore. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi çështjen nën dritën e ligjit nr. 20/2020 dhe të vendimit njësues nr. 00-2025-4083 (79), datë 18.02.2025, arriti në përfundimin se padia ishte ngritur përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri, por tashmë duhej vlerësuar sipas kritereve të këtij ligji. Kolegji çmoi se shkaku i padisë lidhej me legjitimimin e përfituesit të AMTP, pra me faktin nëse ai ishte apo jo subjekt që mund të përfitonte tokë sipas rregullave të ndarjes, dhe nuk përfshihej në rastet e përcaktuara nga neni 7, pika 1, i ligjit nr. 20/2020. Në këto kushte, Kolegji vlerësoi se ASHK, si pasardhëse ligjore e prefektit, nuk kishte legjitimim aktiv material për të vijuar procesin gjyqësor. Mbi këtë bazë, Kolegji ndryshoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe atë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke rrëzuar padinë.
1. Abonohu në buletinin informativ elektronik
Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini
2. Njihu me jurisprudencën në JUDIX
Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Gjykata e Lartë